I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar situatën aktuale në rajon në prag të konferencës ndërkombëtare në Dubrovnik, duke iu referuar veçanërisht krizës mes Kosovës dhe Serbisë si dhe lëvizjeve të fundit të Milorad Dodikut në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës.
Duke komentuar situatën në Kosovë, zyrtari amerikan beson se zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza është që Beogradi dhe Prishtina të pranojnë planin trepikësh të prezantuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç është i gatshëm ta pranojë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë”, tha ai.
“Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”, shtoi Escobar. “Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike.
Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”, përfundoi Escobar.