“Ping-pong” mes institucioneve është shkaku kryesor i dhunës që u regjistrua javën e kaluar në Krujë që solli ndryshime në qeveri dhe shkrirjen e komisariatit. Qytetarët thonë se kanë bërë 40 denoncime dhe shteti heshti. Policia thotë se i regjistroi procedimet dhe ia nisi prokurorisë. Organi i akuzës në Tiranë thotë se në 18 Maj regjistroi procedimin dhe në 25 po të atij muaji, pra Majit, e delegoi për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë. Më pas në 19 Qershor ka regjistruar procedimin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, prishjen e shtëpive nga shpërthimet e gurores. Por në terren asnjë nga institucionet nuk nxori urdhra apo të merrte masa për të ndaluar shpërthimet dhe mbrojtur denoncuesit.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke marë shkas nga interesimi i mediave, në bazë të njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, ju bën me dije se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 18.05.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.3223 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Me shkresën Nr.6422, të datës 25.05.2023, dosja i është deleguar për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë.
Në vijim të materialit të referuar me nr.1466 nga Komisariati i Policisë Krujë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 19.06.2023 ka regjistruar procedimin penal nr.3872 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal. Çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake” thotë prokuroria e Tiranës.
Policia: I morëm që në maj kallëzimet për guroren në Krujë! Po pse nuk vepruat?