Gjykata e Tiranës la dje në burg pa afat Valter Bamin, personin e arrestuar për atentatin në Larushk të Fushë Krujës javën e kaluar ku mbeti i vdekur Ramzan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas, i cili ishte shënjestër. Zyrtarisht Bami u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi në dorën e majtë iu gjetën shenja baruti dhe policia e arrestoi me dyshimin se mund të jetë i përfshirë në atentat. Në dosje shpjegohet kronologjia hap pas hapi si ndodhi atentati ku mbeti i vdekur Sino. Nuk dihet nëse shënjestra, Bejtja ishte në makinë dhe zbriti më parë, apo nuk ishte fare. Autorët u futën në oborrin e banesës dhe i qëlluan.
“Më datën 3 korrik, Ramazan Sino (viktima) ka qenë në Tiranë së bashku me motrën e tij, bashkëshorten e Gentian Bejtjas, si dhe dy nipat e mitur që mbetën të plagosur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipat, kanë udhëtuar me mjetin e tyre tip “Audi” nga Tirana në drejtim të fshatit Larush të Fushë Krujës.
Pasi kanë mbërritur në banesën e së motrës, kur po zbrisnin nga automjeti i parkuar brenda në oborr, përpara hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të personave që kanë zbritur nga mjeti. Si pasojë e të shtënave me armë ka gjetur vdekjen Ramazan Sino dhe u plagosën dy nipat e tij, A.B. dhe R.B. Dy fëmijët u dërguan në Spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në oborrin e banesës së Gentian Betjës, e cila ishte e rrethuar me avlli të lartë, në oborr janë gjetur të shpendarë në formë të çrregullt 24 gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm, një predhë e dëmtuar, në murin e banesës dhe murin rrethues të avllisë janë konsturuar demtime në formë vrime të shkaktuara predhat e fishekëve të armëve të zjarrit.
Nga të dhënat paraprake rezulton se autorët pasi kanë realizuar qëllimin kriminal janë larguar për disa metra në këmbë në rrugicën e lagjes dhe rrugën kryesore i ka pritur një automjet. Pasi kanë qëlluar disa herë ne ajër me arme zjarri, autoret kanë hipur në automjet dhe janë larguar në drejtim të aksit rrugor me sens lëvizje Larushk – Fushë Krujë. Në rrugën ku autorët qëlluan në ajër janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e proves materiale 4 model 56, kaliber 7.62 mm.
Pak minuta më pas, është njoftuar policia se në fshatin Tapizë, Fushë-Krujë, ka qenë duke u djegur një automjet. Në vendngjarje janë paraqitur shërbime të policisë që kanë konstatuar se automjeti tip Volsvagen, pa targa, në gjendje të djegur. Nga këqyrja rezultoi se në brendësi të mjetit u gjetën 3 armë zjarri automatike model 56, kaliber 7.62. Nga identifikimi i automjetit rezulton se është vjedhur më 11 maj të këtij viti nga në pronësi të shtetases K.L” thuhet në dosjen e Prokurorisë.