Nesër do të vendoset me votën e deputetëve nëse do të pranohet kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt. Raporti u miratua dje dhe u la fillimisht për të hënën, por opozita këmbënguli dhe seanca u vendos për nesër në orën 10:00.
Por në seancën e sotme, Lindita Nikolla bëri një deklaratë të papritur. Referuar kohës se kur arriti kërkesa e SPAK-ut në Kuvend, Nikolla tha se është protokolluar ditën e hënë, jo të premten.
“Kërkesa e SPAK-ut, se ka shumë abuzime, ka shumë abuzime, u depozitua në kuvend në 10 korrik. Edhe pse mban datën 7 është depozituar në datën 10 Korrik” tha Nikolla. Kryetarja e Kuvendit me këtë deklaratë e hoqi përgjegjësinë nga vetja.
Por përse SPAK-u e firmosi shkresën me kërkesën për arrestim ditën e premte duke i dhënë kohë tre ditë deputetit të manovronte? Kush kishte informacion për kërkesën për tre ditë me radhë? A u informua Ahmetaj për firmosjen e urdhrit të arrestit që u largua brenda ditës së premte nga Shqipëria?
Sali Berisha ka denoncuar se Ahmetaj u njoftua sipas tij nga SPAK-u dhe kontrollorët e prokurorisë, referuar shumicës socialiste. Deputeti socialist është i lirë dhe mbi të ende nuk ka asnjë urdhër arresti, por pikëpyetjet e largimit të tij janë të shumta dhe ende pa përgjigje. Sot Kuvendi hoqi përgjegjësinë duke ia lanë “dopio gjashtën” SPAK-ut.