Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka paralajmëruar se qeveritë e vendeve nuk duhet të lejohen të vendosin se cilët atletë mund të marrin pjesë në gara, pasi që tha se ky “do të ishte fundi i sportit ndërkombëtar ashtu siç e njohim ne”.
Organizata thotë se “ka gjetur rrugën e mesme” për atletët nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. Por, autoritetet ruse dhe ukrainase i kanë kundërshtuar planet e saj.
“Nuk mund të jetë në dorën e qeverive të vendosin se cilët atletë mund të marrin pjesë”, tha IOC-ja.
IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Në mars, IOC u tha federatave sportive se duhet t’i lejojnë atletët nga ato vende të konkurrojnë si neutralë.
Por, tani që Olimpiada e Parisit 2024 do të fillojë pas pak më shumë se një viti, IOC është ende duke qartësuar qëndrimin e saj ndaj atletëve rusë dhe bjellorusë dhe tha se nuk ka marrë një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen e tyre në Lojërat e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, IOC tha se Komitetet Organizative Kombëtare të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk do të luajnë asnjë rol në lojëra.
Në deklaratën e IOC-ut theksohet gjithashtu një vendim nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, që këshilloi se një ndalim i përgjithshëm për atletët rusë dhe bjellorusë do të ishte diskriminues dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut./REL
Artikulli i plotë këtu.