Dokumente të Prokurorisë së Posaçme mbi hetimin ndaj ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, zbulojnë se ish-Ministri i Energjisë, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, përfitoi, në dy raste, pagesa hotelesh nga biznesmeni Klodian Zoto. Gjiknuri e mohoi.
Sot në hyrje të Kuvendi Gjiknuri tha se udhëtimet kanë qenë zyrtare dhe faturat janë në ministrinë e Energjisë.
“Unë qëndrimet e mia i kam bërë publike në komisionin hetimor. Nuk ka ndodhur asgjë e re. Vetëm se dikush do të përdorë emrin tim për të ngritur kauza politike.
Ato dy udhëtime të pretenduara janë zyrtare. Nuk kam vajtur për qejf, as kam bredhur me njerëz që ju mund të pretendoni.
Roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje. Mos e bëni hetimin si pacientin zero. Bëhet fjalë për akte zyrtare. Lidhjet rastësore apo njohjet nuk kanë asnjë lloj vlere. Me Ahmetajn kam bërë udhëtime se ka qenë ministër dhe koleg” tha ai.
Gazetarët e pyetën se pse duhet ta paguante Klodian Zoto hotelin? “I keni faturat atje. Aty janë dokumentet do ta dalin. Kur të thirrem do të jap shpjegime” tha Gjiknuri.
PS ka publikuar faturat e biletave të avionit, dhe të rezervimit të hotelit për Gjiknurin, asokohe në postin e Ministrit.
Vetë Gjiknuri tha sot se ai nuk ka lidhje me biznesmenët e aferës së inceneratorëve, duke mohuar kështu çdo akuzë që mund të ngrihet për përfshirjen e tij.