Kremlini tha sot se statusi i organizatës private mercenare Wagner duhet të “rishikohet” , një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin tha se organizata nuk kishte bazë ligjore.
Putin i tha dje një gazetari të gazetës Kommersant se Wagner, i cili organizoi një rebelim të shkurtër të armatosur muajin e kaluar, “nuk ekziston” në kuptimin ligjor sepse nuk ka ligj në Rusi në lidhje me kompanitë private paraushtarake.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se statusi i organizatave si Wagner është “mjaft i ndërlikuar” dhe duhet të shqyrtohet.
I pyetur nëse ekziston mundësia e legjislacionit të ri për statusin e kompanive private paraushtarake, ai tha: “Kjo çështje të paktën do të jetë në shqyrtim”.
Putin i tha Kommersant se ai u ofroi njerëzve të Wagner-it të shërbenin nën komandën e dikujt tjetër, por udhëheqësi i tyre Yevgeny Prigozhin e refuzoi ofertën pas rebelimit të tij të dështuar.
Kommersant sqaroi se njeriu të cilit i referohej Putin është një komandant Wagner me nofkën “Sedoi” (Flokët gri), i cili, sipas presidentit rus, ka qenë de facto komandanti i paraushtarakëve në frontin ukrainas për 16 muajt e fundit.
“Sedoi” është pseudonimi i Andrei Troshev, sipas dokumenteve të sanksioneve të Bashkimit Evropian, dokumenteve zyrtare franceze, burimeve me njohuri për këtë çështje dhe raporteve të mediave ruse.