Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, ligji i ri që parasheh rritjen e pagës minimale në Kosovë, që u miratua të enjten në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.
Në pika të shkurtra më poshtë mund të lexoni më shumë detaje rreth këtij ligji dhe pse ka ngjallur reagime.
Çfarë është ky ligj?
Emri zyrtar i tij është “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.
Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale. Ky ligj përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero.
Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat. (lexo ketu lajmin e plote).