Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro bashkë me specialisten Laura Shteto dhe biznesmenin Vladimir Topi me inxhinierin Silvi Shehi për dosjen e tenderit. Ish-sekretarja që ndodhet pas hekurave akuzohet se mori gjysmën e tenderit ryshfet për t’ia dhënë pjesën tjetër kompanisë së biznesmenit Topi, që po gjykohet në arrest shtëpie. Arrestimi u bë në fund të majit.
Dosja dhe hetimet
Joana Duro ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.
Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj.
Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 lekë nga Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek sekretarja Joana Duro.