Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi të hënën një kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe shkarkoi nga detyra prokurorin e Sarandës, Sali Hasa.
Këshilli i Prokurorisë vendosi gjithashtu pezullimin e përfitimit prej tij të 50% të pagës, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata.
Sipas kërkesës, që Inspektorit i Lartë i Drejtësisë i paraqiti Këshillit të Prokurorisë, “magjistrati është gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe “Refuzim për deklarimin ose mos deklarimi i pasurisë” , dhe është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim”.
Dënimi penal sipas Inspektorit të Lartë të drejtësië përbën “Shkelje shumë të rëndë disiplinore” dhe kërkohet shkarkimi i tij nga detyra.
Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Sali Hasa, avokati Ermir Dobjani kishte kërkuar pezullimin e procedurës me argumentin se kishin depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë dhe se duhej të pritej kjo vendimarje.
Prokurori i Sarandës u arrestua më 19 qershor të vitit 2021 pasi dyshohej se ishte i përfshirë në marrje ryshfeti në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj Emiljano Miranit, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”. /VOA
Artikulli i plotë këtu.