Qeveria është përballë një skandali të ri. Këtë herë jo me përmasa lokale. Brukseli i preu qeverisë fondet e projektit “IPARD II” për bujqësinë për shkak të hetimeve që po kryhen për korrupsion. “IPARD” është programi i BE për mbështetjen e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit. Në pikëpyetje nuk janë vetëm fondet e skemës së “IPARDII”, por edhe projektit të tretë që është në pritje që parashikohet që do të financojë 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare.
Konfirmimi i BE-së
Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë konfirmoi për “5Pyetjet.al” se ka njoftuar qeverinë se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi “IPARD” për Shqipërinë për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) në shpërndarjen e tyre. E kontaktuar nga “5Pyetjet.al” zyra që përfaqëson Brukselin në Tiranë tha se kjo është një masë parandaluese për të mbrojtur fondet e BE-së.
Por si nisi hetimi?
Dyshimet, denoncimet dhe akuzat në media kanë qenë të shumta, jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga politika dhe aktorë të tjerë të përfshirë drejtpërdrejt. Paraprakisht dyshohet se “OLAF”, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian që heton mashtrimet me fondet ka zbardhur në Tiranë disa muaj më parë për shkak të një denoncimi. Këto fonde menaxhohen nga AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) që është në varësi të Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga Frida Krifca dhe agjentët e Brukselit shkuan duke marrë provat.
Heshtje e qeverisë
Por çfarë mendon qeveria shqiptare për këtë? Gazetarët pyetën ministren Evis Kushi në fund të mbledhjes nëse ishte diskutuar sot në Këshillin e Ministrave? Por Kushi, u tha gazetarëve që të pyesin ministren e Bujqësisë, Krifca. “Sot jam këtu për vendimin që sapo prezantova, ministrja e Bujqësisë mund të jetë më e gatshme t’i përgjigjet kësaj pyetje që edhe ju të keni një përgjigje më të saktë dhe më të plotë” tha ajo. Deri tani heshtje nga Edi Rama. Ky skandal ndoshta nuk do të kapërdihet me një “prerje” kokash.
Po SPAK-u ku është?
Zyra kundër mashtrimit në BE ka nisur hetimet për këtë skandal, por nuk dihet nëse SPAK-u ka marrë në dorë ndonjë denoncim apo nëse ka nisur ndonjë hetim.
BE për “5Pyetjet.al”: Ka korrupsion! Kemi ndërprerë fondet për bujqësinë në Shqipëri