Pasditen e sotme është tronditur sërish Lezha me një tjetër atentat ku mbeti i vdekur 42-vjeçari, Nikolin Lekstakaj.
Ngjarja u regjistrua 300 metra larg shtëpisë së tij në Balldre ku viktima kishte ndaluar në një lokal për të blerë një pije freskuese.
Mësohet se në momentin kur ai ka dalë nga lokali është afruar një makinë në të cilën ndodheshin 2 persona të maskuar të cilët kanë qëlluar në drejtim të 42-vjeçarit.
Nga të shtënat është rrezikuar edhe jeta e shitëses së dyqanit ku bleu për herë të fundit viktima.
Menjëherë pas të shtënave autorët janë larguar dhe kanë lënë të vdekur në vend Nikolinin. Sipas policisë hetimet kanë nisur për rastin de është krehur vendi për të kapur autorët dhe dyshohet për hakëmarrje.
Ngjarja e ditës së sotme dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj i cili u vra 3 muaj më parë në lokalin e tij.
Një detaj tjetër në lidhje me atentatin e sotëm është se viktima është vrarë përpara shtëpisë së Ardian Nikulaj. Edhe pse fiset Lekstakaj dhe Nikulaj prej 30 vitesh janë në hasmëri ata jetojnë në të njëjtin fshat në Balldre.
Nikolin Lekstakaj, baba i 3 fëmijëve ishte rikthyer nga emigracioni konkretisht nga Londra ku kishte jetuar prej vitesh.