Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit po vazhdon i pandalshëm edhe këtë javë. Euro ka zbritur tashmë shumë afër pragut të 100 lekëve dhe rënia e saj po tërheq pas vetes edhe shumicën e valutave të tjera.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha Europiane u këmbye të enjten me 100.49 lekë, duke prekur minimumin e radhës historik.
Kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 12% që nga fillimi i vitit.
Edhe Paundi Britanik preku një minimum të ri historik, në vlerën e 115.72 lekëve. Kursi i Paundit me Lekun ka rënë me 15.8% krahasuar me një vit më parë dhe me 10.2% që nga fillimi i vitit.
Dollari Amerikan ka zbritur në 89.61 lekë, duke shënuar një rekord të ri që prej fundit të vitit 2008. Kursi i Dollarit me Lekun ka rënë me 21.6% krahasuar me një vit më parë dhe me 16.2% që nga fillimi i vitit.
Edhe Franga Zvicerane shënoi një minimum të ri shumëvjeçar, duke prekur vlerën më të ulët që prej vitit 2009. Franga u këmbye me 104.46 lekë, në rënie me 11.5% krahasuar me një vit më parë dhe me 10% që prej fillimit të këtij viti./ Monitor