Kur bota u mbërthye nga inflacioni i lartë pas luftës në Ukrainë, Shqipëria kishte rritjen më të ulët të çmimeve në rajon, por Barometri i Ballkanit 2023 nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjeti se vendi ynë kishte përqindjen më të lartë të popullsisë së pakënaqur nga çmimet.
Sipas anketës, 65% e popullsisë së Shqipërisë ishte shumë e pakënaqur nga niveli i lartë i çmimeve. Niveli i pakënaqësisë ishte më i lartë dhe me diferencë nga vendet e tjera, ku 47% të qytetarëve të rajonit shprehen pakënaqësi.
Shqipëria kishte nivelin me të ulët të inflacionit gjatë vitit të kaluar me 6.7%, ndërsa mesatarja rajonale e inflacionit ishte 12% vitin e kaluar.
Pas Shqipërisë, më të shqetësuarit për çmimet ishin qytetarët e Malit të Zi, të cilët në masën 55% ishin të pakënaqur, por ndërkohë inflacioni në Malin e Zi vitin e kaluar u rrit në nivele dyshifrore 13%.
Në Maqedoninë e Veriut, 54% e qytetarëve ishin shumë të pakënaqur me nivelin e çmimeve, teksa inflacioni vitin e kaluar u rrit me 14.2%, niveli më i lartë rajonal.
Rreth 46% e qytetarëve të Serbisë ishin të pakënaqur me çmimet vitin e kaluar, teksa inflacioni në këtë vend u rrit me 11.6%.
Më herët këtë vit institucionet financiare ndërkombëtare kanë zbuluar se treguesi i inflacionit në Shqipëri nuk paraqet realitetin.