Qindra protestues sulmuan ambasadën suedeze në qendër të Bagdadit në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, duke u ngjitur në muret e saj dhe duke i vënë flakën në shenjë proteste kundër djegies së Kuranit në Suedi. I gjithë personeli i ambasadës në Bagdad mbeti i padëmtuar gjatë incidentit, siç konfirmohet nga zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme suedeze në një deklaratë për media.
Mbështetësit e klerikut shiit Muqtada Sadr organizuan protestën të enjten kundër djegies së dytë të planifikuar të Kuranit në Suedi brenda pak javësh. Njoftimi për protestë u bë përmes postimeve në një grup në Telegram të ndjekur gjerësisht, që është i lidhur me klerikun me ndikim,si dhe në kanale të tjera mediatike që mbështesin atë.
Ai ka thirrur më parë ndjekësit e tij për të dalë në rrugë në raste të ndryshme, si në verën e kaluar kur ata pushtuan Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, duke çuar në konfrontime fatale. Sipas lejes së lëshuar nga policia suedeze të mërkurën, një tubim publik jashtë ambasadës së Irakut në Stokholm u miratua.
Leja tregonte se vetëm dy persona pritej të merrnin pjesë në këtë tubim. Njëri nga ta është një burrë që i vuri zjarrin një Kuranit jashtë një xhamie të Stokholmit në qershor. Policia suedeze refuzoi disa aplikime për protesta në fillim të këtij viti, që do të përfshinin djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë./REL