Dy ditë nga ekzekutimi i Nikolin Markut (Lekstakajt) ende nuk ka asnjë të arrestuar. Shoqërimet në Lezhë ishin të shumta pas krimit të rëndë. Mbi 15 raportohet se janë marrë në pyetje.
Mes tyre dëshmitarë në vendin e ngjarjes, por edhe të dyshuar nga fisi Nikulajt, që është në pista e parë në tryezën e hetuesve.
Nuk përjashtohet që vrasja e Markut që njihej me nofkën “Toli” të jetë hakmarrje taze, e freskët e fisit Nikulajt, për vrasjen e Ardianit në 19 Prill, tre muaj më parë.
Ekzekutimi në të njëjtën ditë të Nikulajt dhe Markut është një tjetër detaj që i shtyn akoma më shumë hetuesit tek pista e hakmarrjes. Por ende nuk kanë asnjë provë konkrete.
Automatiku dhe provat që janë gjetur brenda makinës së djegur në Gjadër janë çuar për ekspertim. Për momentin gjithçka është vetëm në kuadër të dyshimeve.