Rusia goditi qytetin e Odesës të Ukrainës për natën e katërt me radhë, duke shkatërruar një terminal të drithërave dhe duke plagosur dy persona, tha në Telegram guvernatori rajonal Oleh Kiper.
Në sulm, Rusia përdori raketa të tipit Kalibr të lëshuara nga Deti i Zi, tha Kiper.
Sulmet ajrore ruse në zonat e porteve ukrainase vazhduan pas paralajmërimit të Moskës se anijet e destinuara për në portet e Detit të Zi të Ukrainës mund të konsiderohen si objektiva ushtarake.
“Fatkeqësisht, u godit një terminal drithërash i një prej ndërmarrjeve bujqësore të rajonit të Odesës. Armiku shkatërroi 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb. Dy persona u plagosën nga shpërthimi”, tha Kiper.
Sulmi u konfirmua nga zëdhënësja e ushtrisë ukrainase Natalya Humenyuk.
Një ditë më parë, të paktën dy persona në Odesa u vranë nga sulmet, dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmet erdhën disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin tërhoqi Rusinë nga marrëveshja e arritur në kohë lufte, e cila lejoi Ukrainën të dërgonte grurë në vendet që përballen me kërcënimin e urisë.
Përballë largimit të Rusisë nga marrëveshja njëvjeçare, e cila përbën një rrezik të mundshëm për furnizimet globale të ushqimit, Ukraina njoftoi se do të krijojë një rrugë të përkohshme transporti përmes Rumanisë, një vend fqinj i Detit të Zi./REL