I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, iu drejtua në fillim të kësaj jave anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ku u pyet se përse Bashkimi Evropian nuk vendos sanksione kundër politikës secesioniste në Bosnje dhe Hercegovinë. Përgjigjja e Escobarit ishte e shkurtër: nevojitet konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.
Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për veprimet e udhëheqësit serb të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, të cilat minojnë funksionalitetin e këtij shteti.
Hungaria e mbështet hapur presidentin e Republikës Sërpska dhe, rrjedhimisht, refuzon të pajtohet për sanksionet, ndërsa vendimi për to duhet të merret unanimisht nga të 27 shtetet anëtare të BE-së.
Për ekspertin e politikës së jashtme të BE-së në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane, Toby Vogel, Hungaria nuk është problemi i vetëm. Ai beson se ka edhe disa vende të tjera anëtare që i kundërshtojnë sanksionet, por që fshihen pas rezistencës së hapur të Hungarisë.
“Dodik ka mbështetjen e fortë të [kryeministrit hungarez] Viktor Orban, por ka indikacione se shtetet e tjera anëtare të BE-së – Kroacia dhe Austria, e ndoshta Greqia dhe të tjera – janë gjithashtu kundër sanksioneve të BE-së”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.
Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, por jo të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, vlerëson se “sanksionet e të tjerëve, zakonisht, nuk janë udhëzuese për BE-në, sepse regjimi i sanksioneve të BE-së është autonom”, që do të thotë se sanksionet evropiane bazohen në kuadrin ligjor të BE-së, ndërsa për vendimet për sanksione është e nevojshme të plotësohen një sërë kriteresh që pasqyrojnë legjislacionin, përfshirë konsensusin. /REL