Keni planifikuar të udhëtoni nga/drejt Shqipërisë për pushimet verore, Dogana Shqiptare njofton udhetarët se cila është vlera e mallrave që përjashtohen nga taksat doganore, sasitë për kafenë, duhanin dhe alkoolin, deklarimin e parave cash dhe objektet e trashëgimnisë kulturore.
Kufiri i pataksueshëm i mallrave
Udhëtarët që vijnë nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.
Mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve ose mallrat për dhurata.
Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) eshte sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:
Udhëtarët në rrugë tokësore: 300 euro për çdo udhëtar
Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare: 430 euro për çdo udhëtar
Për udhëtarët nën 15 vjeç: 150 euro
Gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare.
Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.
Kujdes!
Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.
Duhan, pije alkolike dhe kafe
Përjashtohen nga pagesa e akcizës mallrat e akcizës që lëvrohen nga “Duty free shops” dhe që merren në bagazhet personale nga udhëtarët që lenë territorin shqiptar në rrugë ajrore dhe detare.
Konsiderohen si mallra të lëvruara nga “Duty free shops” edhe mallrat e lëvruara në bordin e avionit gjatë një udhëtimi ndërkombëtar.
Gjithashtu përjashtohen nga pagesa në Import për:
- a)konsum personal produktet e duhanit për sasitë:
- 200 cigare;
- 100 cigarillo;
- 50 puro;
- 250 gramë duhan
- b)konsum personal i alkoolit dhe pijeve alkoolike për sasitë:
- 1 litër alkool dhe pije alkoolike me fortësi alkolike më të lartë se 22% ndaj volumit, ose alkool etilik i padenatyruar me fortësi alkoolike 80% ndaj volumit dhe më shumë;
- 2 litra: alkool dhe pije të distiluara me fortësi alkoolike që nuk e kalon 22% ndaj volumit. Secila sasi e specifikuar në shkronjat “a” dhe “b”,përbën 100 % të përjashtimit total për produktet e alkoolit dhe pijeve alkoolike.
- 2 litra verë pa gaz dhe 10 litra birrë.
Për një udhëtar, përjashtimi mund të zbatohet për çdo kombinim të produkteve të alkoolit dhe pijeve alkoolike me kushtin që totali i sasisë (përqindjes) së përdorur nga individi të mos kalojë 100%.
- c)konsum personal i kafes për sasinë:
- 3 kg
KUJDES! Udhëtarët nën moshën 17 vjeç nuk përfitojnë përjashtim për produktet e duhanit dhe alkoolit.
Deklarimi i Parave
Njoftim për detyrimin e udhëtarëve për deklarimin e vlerave monetare në Pikat e Kalimit Kufitar
Të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.
Deklarimi kryhet pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje. Formulari plotësohet online pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar.
Deklarimi i rremë apo i pasaktë apo mos deklarimi, bazuar në ligjin e mësipërm, neni 17/1, Administrata Doganore ka të drejtën e vendosjes së gjobës.
KUJDES! Paraqituni pranë Autoriteve Doganore për të plotësuar formularin për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) duke paraqitur dokumente plotësuese që justifikojnë burimin e të ardhurave që deklaroni.
Udhëtarët duhet të kenë parasysh se deklarimi kryhet:
- Përpara kontrollit të pasaportës nga autoritetet e Policisë dhe Autoritetet e Sigurisë. Nuk ka rëndësi mënyra e udhëtimit tuaj (me avion, anije, makinë, motorr, biçikletë, këmbë).
- Nuk ka rëndësi ku ju i mbani vlerat monetare: në çantën e dorës, në bagazhe, në mjetin që udhëtoni.
- Edhe nëse mjetet monetare nuk janë në pronësinë tuaj.
Nuk paguani taksë për plotësimin formularit të deklarimit të vlerave monetare (RTVK).
Objektet e Trashëgimisë Kulturore dhe Veprat e Artit
Çfarë përfshin trashëgimia kulturore?
Trashëgimia kulturore përfshin pasurinë kulturore materiale dhe jomateriale, të luajtshme dhe të paluajtshme. Si një tërësi vlerash kulturore mbartëse të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar, si dhe me rëndësi shkencore ose kulturore.
Disa nga objektet e pasurisë kulturore (të luajtshme) mund të jenë:
- pikturat, fotografitë, koleksione të ndryshme;
- libra, dorëshkrime, dokumente historike, pulla;
- objekte arkeologjike, statuja;
- sende të ndryshme me vlerë artizanale, etnografike ose historike, etj
Çdo individ i cili dëshiron të eksportojë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë një objekt vepër arti apo objekt që përbën trashëgimi kulturore, duhet t’a deklarojë pranë Autoriteteve Doganore si dhe të paraqesë lejet perkatëse për të (shoqëruar me pasaportën e objektit) të lëshuar nga Qëndra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore apo Ministri i Kulturës.