Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti nga selia blu ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Velaij se është duke dhënë me qira qesharake Akuadromin e Tiranës. Gjatë deklaratës për mediat, Teliti u shpreh se, sa më e vogël të jetë vlera e qirasë, aq më i lartë është pazari që bën Erion Veliaj me biznesmenin e radhës.
“Skandali i aferës së radhës lidhet me faktin se një sipërfaqe prej 1300 m2, në një nga zonat më të mira të Tiranës, i është paracaktuar vlera dysheme 53.48 lekë. Më pak se në një rrëpirë në një katund të thellë të Shqipërisë. Konsiderimi i pasurisë publike si tekë interesash private vërehet edhe te vlera përfundimtare e qirasë për të gjithë pasurinë; 180.127 lekë ose 1800 euro.
Sa më e vogël të jetë vlera që shkon në arkën publike, aq më i madh është pazari që ai bën me oligarkun e radhës, që do ta marrë këtë pasuri në shfrytëzim. Një çmim i lirë në tavolinë, do të thotë një ryshfet i majmë nën dorë. Interesi publik nuk ka asnjë rëndësi dhe vlerë”, tha Dorjan Teliti gjatë deklaratës për mediat.