Deputetja Flutura Açka, e cila sipas PD-së zyrtare është kryetare e komisionit të Etikës i është përgjigjur Gazment Bardhit. Sekretari i përgjithshëm deklaroi sot se nuk do të shkojë në mbledhjen që e ka thirrur sonte Açka, pasi sipas tij, deputetja në mars kishte njoftuar dorëheqjen nga posti i kryetares së këtij komisioni. Por Flutura Açka përmes një postimi në Facebook, thotë se me ftesë të vetë Bardhit në Qershor është tërhequr nga dorëheqja duke u rikthyer tek posti që kishte.
“Jam kthyer me ftesë të mikut tim, Gazmend Bardhi. Kjo ftesë që kam marrë nga z. Bardhi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së e shpjegon kthimin tim. Besova se ishte çasti që PD të dilte nga agonia, dhe ftesa e tij kishte shumë kuptim për mua. Ndaj u ktheva, dhe jam sot në cilësinë që më kanë dhënë demokratët, dhe asnjë emër i përveçëm: Kryetare e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës së Partisë Demokratike” shkruan ajo.
Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së që e quajti të paligjshëm vendimin e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi për të thirrur të enjten në orën 19:00 Këshillin Kombëtar, Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës ka njoftuar se sonte do të shqyrtohen veprimet e kryetarit të grupit demokrat. Drejtuesja e këtij komisioni, Flutura Açka i kërkon Bardhit që sonte të jetë i pranishëm në orën 19:00 kur të zhvillohet mbledhja për të sqaruar pozicionin e tij dhe ku është bazuar për të thirrur mbledhjen.
PD i bën gjyqin! Bardhi: Nuk shkoj! Basha po sillet si Berisha!