Këto goditjet që po i bëhen Tom Doshit dhe Pëllumb Gjokës, nëse janë serioze (nuk do ishte aspak habi po të ishin joserioze) mund të kenë tre shpjegime:
Një shpjegim është ky: Rama me aleancën e personave si këta (që lundrojnë mes bizneseve të paligjshme e atyre të ligjshme) fitoi tashmë gjithçka, pushtet qendror e lokal, ekzekutiv, legjislativ e nga pak gjyqësor, shkatërroi opozitën, kontrollon mediat e bizneset, dhe duket se po shkon nga mandati i tretë drejt të katërtit. Tani, Rama nuk ka më nevojë për ta, prandaj po i djeg njërin pas tjetrit. Pse të mbetet borxhli ndaj dikujt, kur ka gjithçka në dorë?
Shpjegimi i dytë: këta janë krahët e Ramës, përmes tyre ai kontrollon votuesit, ekonominë, mediat dhe shoqërinë. Sipas kësaj arsyeje, ajo fuqi që po i godet këta, po ia pret qartazi krahët Ramës.
Ekziston dhe mundësia për një shpjegim të tretë, që i ndërthur dy të parat. Pra, nga një anë dikush (një subjekt më i fortë) po nis të godasë Ramën duke ia goditur enturazhin, por edhe Rama njëkohësisht po përpiqet të “lajë duart” në momentin e parafundit, duke u përpjekur të shpëtojë veten duke ua hedhur fajin shokëve.