Kryeministri Edi Rama e shkarkoi dy ditë më parë Damian Gjiknurin nga posti i sekretarit të përgjithshëm duke e zhveshur nga funksionet e larta brenda partisë. Në media aludimet ishin të shumta se ishte një “lëshim” në “gojën” e SPAK-ut, pasi deputetit socialist i doli emri në dosjen e prokurorisë për inceneratorët.
Vetë Gjiknuri tha sot se nuk ka asjnë lidhje me djegësat. Por, Sali Berisha nxori një dokument që sipas tij implikon Gjiknurin. Sipas ish-kryeministrit, Gjiknuri ka firmosur kontratën koncesionare të energjisë që do të prodhohej nga inceneratori. 25 vite koncesion. Këtë firmë, sipas Berishës nuk duhet ta hidhte Gjiknuri, por qeveria, duke cituar ligjin.
“Unë kam dokumentin, vendimin e firmosur nga Damian Gjiknuri. Të Ministrisë së Energjisë. Për impiantin e energjisë së inceneratorit të Elbasanit, me 2.3 megavat duhet të vendoste këshilli i ministrave, sipas ligjit në fuqi. Mbi kapacitetin 2 megavat, duhet ta jepte autorizimin këshilli i ministrave. Ky ishte 2.3 megavat dhe vendimin e ka marrë vetë Gjiknuri” tha ai.
Por Damian Gjiknuri u shpreh sot se ai nuk propozoi inceneratorët, por thjeshtë firmosi për futjen e energjisë në rrjet. “Unë kam dhënë autorizim. Nuk kam marrë vendim. Është njëlloj si të blesh makinë, unë e targoj, por nuk mbaj përgjegjësi nëse makina është blerë në mënyrë korruptive. Edhe rrjeti i energjisë ka një regjim të veçantë juridik. Që do të thotë se përpara se ta hedhësh në rrjet energjinë duhet një vendim, nëse nuk do ta bëja do të ishte dëm” tha ai.
Gjiknuri: Rama më hoqi pa motiv! Roli im dhe e vërteta e pagesave të udhëtimeve