Shefqet Hasa duhej të kishte dalë në pension para tre vjetësh, por vazhdon të punojë si shofer në transportin publik në Tiranë.
Si ai janë edhe rreth 60 punonjës të tjerë në transport. Por, ky nuk është sektori i vetëm, ku ka rritje të pensionistëve të punësuar.
Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, numri i pensionistëve të punësuar u rrit për 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Paga mesatare në këtë vend është mbi 500 euro. Transporti vuan mungesën e shoferëve, “zgjidhje” pensionistët
“Punoj prej 45 vjetësh si shofer dhe aktualisht drejtoj urbanin në linjën Kamzë-Tiranë. E kam mbushur moshën e pensionit tre vjet më parë, por vazhdoj të punoj edhe për arsye ekonomike, se pensioni është 19 mijë lekë, 190 euro, dhe nuk më del as për ilaçe. Por, edhe meqë ka mungesë shoferësh, mu kërkua ta vazhdoj punën. Sa të kem mundësi dhe shëndet, do të punoj,” thotë Hasa.
Mungesën e shoferëve e thekson për Radion Evropa e Lirë edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të Shqipërisë, Dashnor Memaj.
“Shqetësim i frikshëm i momentit është largimi në masë i punonjësve të këtij sektori, kemi nevojë për mbi 1.500 punonjës të kategorive të ndryshme: shofer, faturino, punonjës servisi etj. Për ta mbuluar këtë hendek të punonjësve, jemi munduar ta mbajmë edhe kategorinë që ka plotësuar moshën e pensionit. Aktualisht, në sektorin e transportit janë të punësuar rreth 60 pensionistë,” thotë Memaj.
“Para disa vitesh për një vend pune kemi pasur 10 aplikime, sot për 10 vende pune kemi një aplikim. Punonjësit e rinj nuk kanë interes për të punuar në sektorin tonë, sepse po shohin tregun evropian për kushte më të mira dhe paga më të larta,” thotë Memaj. /REL
Artikulli i plotë këtu.