Ka përfunduar pas rreth një 1 orë e 30 minutash mbledhja e Kryesisë së PD-së e cila u mblodh sot nga kreu i ri i partisë, Lulzim Basha.
Mësohet se në këtë mbledhje Basha ka propozuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në 2 shtator.
Agjenda e Kuvendit Kombëtar do të jetë: Ndryshime statutore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore; Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
“Lufta kundër korrupsionit prioritet në mbledhjen e parë të Kryesisë të drejtuar nga Basha, ja dy hetimet parlamentare që do të kërkohen në shtator.
Mbledhja e parë e Kryesisë së Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, përveç mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në 2 shtator, ka vendosur si prioritet luftën ndaj korrupsionit në nivel qendror dhe lokal.
Shtatori do të sjellë edhe 2 nisma kundër korrupsionit nga Partia Demokratike: Kërkesën për hetim parlamentar të fondeve të IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive.
Ridërgim i kërkesës për hetimin parlamentar të gjithë atyre që kanë përfituar statusin investitor strategjik, për të parë se çfarë përfitimesh strategjike kanë sjellë për zhvillimin e vendit, përveç pasurimit të pushtetarëve,” njofton zyra e shtypit në PD.