Drejtoresha e Byrosë Kombëtare te Hetimit, Aida Hajnaj i është përgjigjur pas 11 ditëve akuzave të kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi në Kuvend, i cili ngriti dyshime duke aluduar mbi procesin e rekrutimit në këtë institucion dhe nxjerrjen e sekretit gjatë kryerjes së detyrës.
Byroja Kombëtare e Hetimit thekson se procesi ka qenë i monitoruar nga SHBA-BE dhe se vetë shefja, Aida Hajnaj nuk mund të marrë informacione mbi hetime ku nuk është pjesë si hetuese.
“Procesi i rekrutimit të gjithë punonjësve është monitoruar në çdo fazë nga një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të caktuar nga misionet e SHBA -së dhe BE-së.
Byroja Kombëtare e Hetimit gjatë kryerjes së detyrës udhëhiqet nga misioni për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, në mënyrë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm , me kryefjalë ”ruajtjen e sekretit për çdo veprim që kryen “, në bazë të ligjeve në fuqi.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka të parashikuara në ligj shumë qartë detyrat funksionale përsa i përket pjesës hetimore dhe asaj administrative e organizative. Parashikimet ligjore nuk i japin të drejtë Drejtorit të BKH-së të njihet, marrë apo të kërkojë informacion mbi hetime, kur nuk është vetë i përfshirë në kryerjen e veprimeve si hetues.
Byroja Kombëtare e Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, nga fillimi i funksionimit të saj ka treguar integritet, paanshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen e misionit të saj, kjo e shprehur edhe me rezultatet e deritanishme.
Garantojmë opinionin publik se çdo dyshim keqdashës i pabazuar që cënon imazhin e institucionit nga cilido dhe kudo, nuk do të na pengojë dhe as do të ndikoj në përmbushjen e detyrimeve tona ligjore” mbyllet reagimi.