SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar inceneratorin e Tiranës, për të cilën thekson se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë qenë pronaret “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme thuhet se “nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.”
SPAK sekuestron inceneratorin e Tiranës: Zoto dhe Mërtiri, pronarë de-facto!
Sipas SPAK, Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k.
Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.