Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sërish në lidhje me zhvlerësimin e monedhës Euro dhe forcimin e Lekut, ku shpreh se Shqipëria ka hyrë në një fazë të rrezikshme në lidhje me ekonominë.
Në një postim në Facebook, Tabaku shkruan se qeveria po kërkon të manipulojë tregun dhe të favorizojë monopolet dhe oligarkinë ekonomike.
“Paraja e pisët nuk mund të jetë e ardhmja e ekonomisë! Qeveria pretendon se problemet që hasin bizneset e eksportit që mbajnë mbi 100 mijë familje me punë dhe bukë, janë në fakt probleme që burojnë prej tyre. Po ashtu qeveria justifikohet se këto biznese nuk kanë përse ankohen tek qeveria për paaftësinë e tyre për t’u vetërregulluar në një treg ku leku forcohet jo prej ekonomisë së fortë por prej ekonomisë së pisët.
Qeveria morri një masë ndaluese dhe lehtësuese për bizneset sepse e kupton edhe vetë që ato janë duke vuajtur dhe kjo rrezikon punën e mbi 100 mijë familjeve shqiptare dhe të ardhurat e tyre.
Shqipëria ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe të rrezikshme në lidhje me ekonominë. Zhvlerësimi Euros në një kohë kur Banka Qendrore Europiane po ndjek politika monetare për të forcuar atë është shenjë se leku i fortë vjen si pasojë e ekonomisë së parasë së pisët.
Kjo, nuk është një çështje e disa bizneseve që nuk duan të reformohen përballë sfidave të tregut. Përkundrazi, është rasti i një qeverie që kërkon të manipulojë tregun (siç ka bërë përherë) për të favorizuar sa monopolet dhe oligarkinë ekonomike po aq edhe monopolin e parave të pista apo dhe korrupsionit.” shkruan ndër të tjera në reagimin e saj Tabaku.