Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të dalë sot para një gjykate në Uashington, i akuzuar për “konspiracion kundër shtetit amerikan”, pengim i procedimeve zyrtare dhe shkelje të të drejtave zgjedhore.
Në një postim në faqen e tij të internetit, Truth Social, Trump akuzoi presidentin demokrat dhe kundërshtarin e tij të vitit 2020 Joe Biden se qëndronin pas kësaj ndjekjeje të re kundër tij.
“Demokratët nuk duan të bëjnë fushatë me mua kundër tyre, përndryshe nuk do të përdorin këtë instrumentalizimin e paprecedentë të drejtësisë. Demokratët kanë frikë nga unë,” shkroi ai.
Trump është thirrur për t’u paraqitur sot në orën 16:00 (ora e Uashingtonit, ora 22:00 me orën shqiptare) përpara një gjykate federale pas ndjekjes penale të ngritur kundër tij nga prokurori special Jack Smith, i cili kryesisht e akuzon atë për minimin e themeleve të demokracisë amerikane nga përpjekje për të ndryshuar procesin e ratifikimit të rezultateve zgjedhore.
Gjykata ku ai do të akuzohet zyrtarisht është shumë pranë Kapitolit, selia e Kongresit, ku qindra mbështetës të tij sulmuan më 6 janar 2021, duke u përpjekur të pengojnë ratifikimin e fitores së Biden.