Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me pedagogë e drejtues të Universitetit të Tiranës.
Sipas tij, qëllim ishte vënia e urave të bashkëpunimit institucional në kuadër të programeve të ekselencës për Policinë e Shtetit.
Balla tha se do të dërgojë në kuvend disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili do të lehtësojë procesin e rifreskimit të organizatës së policisë.
Në fjalën e tij, ministri u shpreh se sfida për ta rinovuar Policinë e Shtetit është e hapur.
“Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor,” tha Balla.
“Jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetëpastrirmi i radhëve të Policisë,” shprehet Balla.
Kujtojmë se në tetë qarqe të vendit janë çelur aplikimet për t’u futur në Akademinë e Sigurisë, të studentëve që kanë përfunduar të dy ciklet e studimeve në fusha: drejtësi, ekonomi dhe IT, me mesataren 8 e sipër. Janë 100 vende për t’u plotësuar në Policinë Kriminale, të cilat do të përzgjidhen nga ky kontingjent studentësh universitarë.