Mesdheu Qëndror përbën më shumë se gjysmën e kalimeve të migrantëve të parregullt në Bashkimin Europian, njoftoi të premten Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.
Sipas raportit, numri i kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian u rrit 13% në shtatë muajt e parë të vitit 2023 në rreth 176100, shifra më e lartë për periudhën janar-korrik që nga viti 2016.
Sipas FRONTEX-it rritja u ndikua tërësisht nga numri i mbërritjeve përmes Mesdheut Qendror, i cili mbetet rruga kryesore e migracionit në Bashkimin Europian dhe përbën më shumë se gjysmën e të gjitha zbulimeve në kufijtë e BE-së.
Mesdheu Qëndror kishte 89000 kalime të parregullta të migrantëve të raportuara nga autoritetet kombëtare, në shtatë muajt e parë të 2023, totali më i lartë në këtë rrugë për këtë periudhë që nga viti 2017, me nje rritje mbi 115%.
“Rritja e numrit të migrantëve në këtë rrugë mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm me kontrabandistët që ofrojnë çmime më të ulëta për migrantët që nisen nga Libia dhe Tunizia në mes të konkurrencës së ashpër midis grupeve kriminale”, vlerëson raporti i FRONTEX-it.
Fatkeqësisht, kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme, thotë raporti.
Raporti i referohet të dhënave të Organizatës Botërore për Migracionin IOM, ku thuhet se më shumë se 2060 migrantë u zhdukën në Mesdhe, midis janarit dhe korrikut, me shumicën dërrmuese në rrugën e Mesdheut Qendror.
Mbërritjet e migrantëve në të gjitha rrugët e tjera migratore shënuan rënie nga një vit më parë, duke filluar nga 2% në Mesdheun Perëndimor deri në 29% në rrugën e Mesdheut Lindor./VOA
Artikulli i plotë këtu.