Vizita e kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair ku u përdor flamuri shqiptar dhe ndryshimi i emrit të rrugës së Çairit, nga “brigada e dhjetë sulmuese maqedonase” në “Adem Demaçi” ka trazuar politikën në Maqedoninë e Veriut por dhe të Serbisë.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka kërkuar që ligji të merret me organizatorët, pasi ata përhapën ide shoviniste, që ndez urrejtje dhe provokim nacionalist duke komentuar përdorimin e flamujve “Autochtonus” gjatë tubimeve.
”Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha përfaqëson ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë, si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik,” thuhet në reagimin e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
”Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara,” shprehet Pendarovski në reagim.