Presidenti i Kroacisë deklaron se nëse autoritet greke vendosin të ndalojnë të 100 të arrestuarit për ngjarjen e ndodhur në Nea Filadelfia, atëherë kemi të bëjmë me ‘hakmarrje’. Ai tha se pret që të identifikohen sa më shpejt përgjegjësit për vdekjen tragjike të 29-vjeçarit Michalis Katsouri.
“Policia ka të drejtë t’i ndalojë të dyshuarit për pesë ditë. Pavarësisht se si kanë hyrë në vend, kanë shkuar të bëjnë telashe dhe kjo sjellje nuk justifikohet, është thjesht e papranueshme. Megjithatë, qytetarët kanë të drejtat e tyre. Sa i përket rrethanave të vrasjes, ato ende nuk janë sqaruar dhe nuk janë bërë të ditura. Nëse autoritetet greke do të mbajnë 100 tifozët në paraburgim, mendoj se do të tregonin se kemi të bëjmë me një hakmarrje kolektive. Edhe rrethanat e vdekjes së këtij njeriu nuk janë më të qarta”, ka thënë Milanoviç.
Ndërkohë prindërit e tifozëve të Dinamos i kanë dërguar një letër qeverisë kroate, duke kërkuar nga shteti që të ndërhyjë në këtë rast.
“I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës së Kroacisë, Qeverisë së Republikës së Kroacisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore për të ndihmuar qytetarët kroatë jashtë vendit. Ju lutemi bëni gjithçka për të siguruar që fëmijët tanë të marrin të gjithë ndihmën diplomatike dhe juridike që zakonisht u ofrohet qytetarëve tanë të arrestuar në një vend të huaj”.
Kujtojmë se, shumica e të arrestuarve janë 18, 19 ose 20 vjeç.