Policia e Tropojës për mes një njoftimi ka bërë të ditur se në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme nga banorët e kësaj zone janë proceduar 5 persona.
Banorët bllokuan ditën e djeshme rrugën në shenjë protestë kundër guroreve dhe ndërtimit të fabrikës së bitumit.
Procedimi i 5 banorëve të Fierzës është për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Të proceduarit janë 46-vjeçari me inicialet P. Gj., 30-vjeçari me inicialet A. D., 44-vjeçari me inicialet S. R., 63-vjeçari me inicialet S. D. dhe 28-vjeçari me inicialet K. P.
Mësohet se 46-vjeçari kishte organizuar një protestë në Fierzë, pa lejen e organeve kompetente dhe së bashku me 4 të proceduarit kanë bllokuar rrugën.