Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani për më shumë se tre orë dëshmoi në SPAK duke dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për koncesionin e sterilizimit që në 24 orët e fundit arrestoi ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Cani u pyet për faktin që ka dhënë miratimin e koncesionit në kohën që ishte ministër i Financave.
Shkëlqim Cani e pranoi këtë, por theksoi se kërkesat që kishte sipas ligjit asokohe ishin plotësuar, por shtoi se nuk ishte ai që ka bërë pagesat më pas dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur, pasi kur filloi koncesioni ishte larguar nga posti.
“Unë nuk jam ministri që kam kryer pagesat. Kur ka filluar koncesioni unë jam larguar. Janë plotësuar kërkesat sipas ligjit dhe kam qenë dakord për koncesionin. Nëse plotësohet dokumentacioni jam i detyruar që të zbatoj ligjin. Se cfarë ndodh më pas, është histori më vete” tha ai duke ia kaluar “topin” ministrave pasues, mes tyre Anila Denaj, që u pyet disa javë më parë.
A e njihje biznesmenin e arrestuar? Cani: Pse, apo të më jepte dhe mua ca para?
Cani tha se nuk ka dijeni që gjyqtari Erion Bani t’i ketë sugjeruar SPAK-ut hetimin e tij. “Unë kam qenë gjithnjë i hapur për cdo gjë, për cdo cështje. Punët e mia janë ndërtuar mbi bazën e shkresave, letrave, jo fjalëve. Unë kam dhënë përgjigje për ato që më ka kërkuar institucioni. Unë kam zbatuar ligjin” tha ai.
Arrestimet për sterilizimin! SPAK: Po vazhdojmë hetimet për të tjerët