Sipas ish-ambasadorit britanik në Jugosllavi, Sir Ivor Roberts, minoriteti serb do të fitojë autonomi dhe kjo do të jetë pjesë e kompromiseve të dhimbshme që do të duhet të bëjë lidershipi i Kosovës, por do të jetë e dhimbshme nga të dyja palët.
Roberts shton se nuk ka dyshime se pakica serbe do të ketë autonomi, por jo me të drejtë për t’u shkëputur.
Ai thotë se formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është qëllim në vetvete.
“Pakica serbe do të ketë autonomi. Kjo është pjesë e kompromiseve të dhimbshme që lidershipi i Kosovës do të duhet të bëjë. Por do të jetë e dhimbshme nga të dyja anët. Pakica serbe, nga ana e saj, duhet të pranojë se autonomia i referohet kulturës, ekonomisë dhe vetëqeverisjes lokale, dhe jo të drejtës për t’u shkëputur.
Kjo është një pilulë e hidhur që pala serbe duhet ta gëlltisë në këmbim. Kjo do të jetë një marrëveshje e vështirë për t’u finalizuar, por të gjithë duhet të mendojnë për përfitimet afatgjata, jo për dhimbjen afatshkurtër,” tha Roberts në një intervistë për median serbe Demostat.