Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së të rajonit mbrëmjen e së hënës do të mblidhen në Greqi me ftesë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për një darkë informale mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklarata e Selanikut”.
Gazeta greke “Protothema” shkruan se në Athinë do të jenë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, i Kosovës, Albin Kurti.
“Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht” shkruan gazeta greke.
Nuk dihet arsyeja se përse është shmangur kryeministri dhe është ftuar Presidenti dhe gjithashtu arsyeja se përse kreu i shtetit të Shqipërisë nuk ka pranuar që të marrë pjesë.
Raportet mes dy vendeve në muajt e fundit kanë qenë të tensionuara për shkak të arrestimit të Fredi Belerit.
Në diskutim do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së dhe më konkretisht kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, i Kroacisë Andrej Plenkoviç dhe i Rumanisë Ion-Marcel Ciolakou.
Në takim do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.