President serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nga java e ardhshme pret presionin më të madh deri më tani ndaj Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe se kundër tij “po organizohet një fushatë me qëllim të izolimit të tij”.
Duke kujtuar se ditëve të fundit në të gjitha mediat botërore u publikuan tekste në të cilat ai fajësohet për gjithçka, Vuçiçi ka thënë se në fakt “ata po e akuzojnë Serbinë për gjithçka” dhe pyeti se “çfarë ka ndodhur, çfarë ka thënë dikush nga Serbia”.
“Asgjë, por është një fushatë e organizuar, përgatitja e asaj që do të ndodhë nga java e ardhshme. Pres presion të madh dhe të rëndë në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, më të vështirat deri tani”, ka thënë Vuçiçi..
Ai gjithashtu ka pretenduar se pas përshkallëzimit në veri të Kosovës, e kanë ftuar kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, dhe siç ka deklaruar “ai ka qenë shumë i zemëruar” në atë takim sepse i kanë ofruar diçka që dukej “e pamundur”.