Ambasadori i Britanisë në Beograd, Edward Ferguson, teksa ka folur në një intervistë për “Kurir” në Serbi, thotë se situata në Ballakan është e brishtë dhe shton se të gjithë i kanë sytë te një progres pozitiv në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Ferguson shtori se në Britaninë e Madhe po i ndjek me vëmendje ngjarjet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe shtoi se Serbia ka një përgjegjësi të veçantë për të punuar për paqen dhe sigurinë, sepse si ekonomia më e madhe në rajon, ajo ka më shumë për të humbur në rast të një konflikti.
“Të gjithë kemi shpresuar që deri më tani të shohim disa hapa konkretë, pozitivë përpara që do të ndihmonin në uljen e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në vend të kësaj, ne kemi parë tensione në rritje, të cilat kanë çuar në lëndime serioze të pjesëtarëve të njësive të KFOR-it, për të cilët të gjithë bien dakort se po veprojnë me drejtësi dhe mënyrë të drejtë,” tha Ferguson.
Diplomati britanik shtoi se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës dhe se ty dyja palët duhet të pranonin çështjet që shqetësojnë secilin.
“Natyrisht, nuk ka përgjigje të lehtë, por në fund do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe gatishmëri për kompromis. Si negociator, mendoj se është e rëndësishme të viheni në pozicionin e palës tjetër. Për popullin e Kosovës, kjo do të thotë të pranoni se Serbia ka shqetësime legjitime për sigurinë e komuniteteve serbë në veri të Kosovës dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Për popullin e Serbisë kjo do të thotë të pranojë se Kosova është shtëpia e 1.7 milionë shqiptarëve që nuk duan të jenë pjesë e Serbisë. Me mirëkuptim vjen besimi dhe me besim mund të arrihet një kompromis,” tha Ferguson në intervistë.