Shqipëria dhe Greqia janë futur në një spirale krize pas kursit të përplasjes që nisi dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit me arrestimin e Fredi Belerit, që fitoi nga burgu, por ende nuk është betuar.
Athina kërkon me cdo kusht lirimin e tij. Kryeministri Mitsotakis ka reaguar disa herë duke lëshuar thirrje dhe paralajmërime. Sot nxori ministrin e Punës, i cili shkoi më tej.
Nga integrimi që nuk dihet kur mund të ndodhë kaluan në çështje aktuale. Lekët. Ministri grek kërcënoi se Athina do të vendoste veton për të bllokuar fondet e Bashkimit Europian për Shqipërinë nëse nuk lirohet Fredi Beleri.
Rezultati i tensionit të muajve të fundit arrin kulmin mbrëmjen e sotme. Në darkën informale në Athinë me liderët e Ballkanit dhe shefat e BE-së mungon Shqipëria. Tirana zyrtare nuk lëviz nga qëndrimi; Bleri është në duart e drejtësisë. Dhe gjykatat në të gjitha hallkat e kanë lënë brenda për korrupsion, blerje votash.
Edi Rama i ka kujtuar se Beleri ndodhet në duart e drejtësisë së re që është mbështetur dhe financuar nga SHBA dhe BE, ku bën pjesë Greqia, që deri para 12 Majit nuk kishte ngritur zërin për sistemin në Shqipëri.
Por ka një situatë me drejtësinë në mes që ka tensionuar raportet mes Greqisë dhe Kroacisë, që flet shumë edhe për Shqipërinë. Disa ditë më parë një tifoz 29-vjeçar grek u qëllua për vdekje me thikë pranë stadiumit të AEK-ut nga grupi i ultrasve “Bad Blue Boys”, që mbështesin Dinamon e Zagrebit në prag të ndeshjes së vlefshme për Champions League.
Mbi 100 tifozë kroatë u ndaluan për ngjarjen nga autoritetet greke. Presidenti kroat, Zoran Milanoviç kërkoi nga Greqia që mbante në qeli vetëm autorin dhe jo të gjithë tifozët. Sot në Athinë kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u takua me Kiriakos Mitsotakis për darkën informale të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe në fokus ishte arrestimi i tifozëve.
Gazeta greke “Protothema” shkruan se “sipas informacioneve, kroatët do të donin lirimin e një pjese të madhe të të arrestuarve, por iu shpjegua me argumente se hetimi është në një moment kritik dhe se laboratorët e mjekësisë ligjore po bëjnë punë të rëndësishme” theksohet në artikull.
E pra, Mitsotakis i thotë homologut të tij kroat se duhet të pritet fjala e drejtësisë, ndërsa kur vjen puna te Fredi Beleri i arrestuar për blerje votash dhe që të gjitha gjykatat e lanë brenda, e injoron drejtësinë duke ndërhyrë në punët e brendshme, jo vetëm me deklarata, por edhe me protesta. Këtu gjen vend shprehja “bëni si them unë, por jo si bëj unë….”.