Policia e Tiranës ka identifikuar drejtuesin e makinës luksoze “BMWX6” i cili fluturoi tek diga e liqenit si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit.
I riu, që sipas policisë është 26-vjeçari Eldi Allushi nga Durrësi arriti që të dilte nga makina, mori targat dhe dokumentacionin brenda duke u zhdukur pa gjurmë për t’i shpëtuar policisë. Disa orë më pas u identifikua, por policia në njoftimin zyrtar nuk thekson nëse e ka shpallur në kërkim për dy veprat penale që e akuzon.
“Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” njofton policia.
Çmenduria në Tiranë/ Kush e ka “BMW X6″-ën që fluturoi në digën e liqenit?