Kanë mbërritur në Shqipëri eshtrat e ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Mësohet se arkëmorti mbërriti në Portin e Durrësit rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm.
Mbesa e Qazim Mulletit, në një intervistë për “News24” u shpreh mirënjohëse, ndërsa tregoi edhe për vështirësitë e asaj kohë për shkak të regjimit.
“Ishte një detyrim familjar, por besoj se është edhe shoqëror. Jam një përfaqësuese e familjes, i jemi mirënjohës të gjithëve. E kemi ditur që jetonte në Romë, por komunikimi me familjen ka qenë i dhunshëm. Nënë e bir u internuan në kampin e Tepelenës. Tregonte për një dhimbje të pakrahasueshme, për hapjen e 300 varreve. Kur u largua e gjithë Europa ka qenë në luftë, nuk kishte ku të merrte familjen. Letra e familjarëve tonë si të xhaxhait, na vinin në adresë me emra të tjerë, miqsh italianë. E ka ndihmuar familjen me pako, me ushqime, por ai vdiq në moshën 62-vjeçare dhe familja i mbeti në internim gjithë jetën”, tha mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha.
Lajmin për mbërritjen e eshtrave të Qazim Mulletit në Atdhe e dha myftiu Lauren Luli, me anë të një postimi në Facebook, ku shkruante se ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish-Tufinë.
“Qyteti për të cilin dha gjithë kontributin e tij intelektual e shoqëror deri kur hijet e regjimit komunist e detyruan të largohet nga vendi, do të mirëpresë të hënën, më 28 gusht 2023, eshtrat e birit të vet, ish prefektit e intelektualit të shquar Qazim Mulleti. Në orën 13:00 të ditës së hënë në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i Ri do të falet namazi i xhenazes së të ndjerit”, shkruante ndër të tjera në postimin e tij myftiu Lauren Luli.