Tre persona u vranë pasditen e së shtunës në një dyqan në Xheksonvill, të Floridas. Autoritetet e konsiderojnë sulmin me armë zjarri me motive racore. Autori i sulmit, një i ri i bardhë 21 vjeç, i cili më pas u vetëvra, kishte lënë shënime në kompjuter për familjarët e tij, ku shprehte urrejtjen ndaj afrikano-amerikanëve.
Autoritetet lokale të zbatimit të ligjit publikuan të dielën emrin e personit të armatosur, duke e identifikuar atë si Ryan Christopher Palmeter. Njësi të shumta të policisë u angazhuan në Xheksonvill kur një person i armatosur hapi zjarr brenda një dyqani “Dollar General”.
Policia thotë se i dyshuari, hyri në dyqan i veshur me paisje luftarake, një automatik dhe një pistoletë, që cilat i posedonte me leje. Tre persona u vranë, përpara se autori të merrte edhe jetën e tij. Autoritetet thanë se të tre viktimat ishin afrikano-amerikanë – dy burra dhe një grua.
Sipas hetuesve, i dyshuari i dërgoi babait të tij një mesazh pasditen e së shtunës, duke i kërkuar që të shikonte materialet në kompjuter. Familja i telefonoi në vazhdim zyrës së sherifit të Qarkut Clay, pasi konstatoi shënime të lëna nga autori i sulmit.
Në një reagim të tij, Presidenti Joe Biden tha se e shtuna, dita kur vendi shënoi 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, një moment themelor në historinë e Shteteve të Bashkuara, përfundoi në një tjetër akt dhune me armë, nxitur nga urrejtja.
Presidenti tha se ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet “duhet të themi qartë dhe me forcë se supremacia e bardhë nuk ka vend në Amerikë”./VOA/