Një çift holandez të ndodhur me pushime në Liguria të Italisë, mësohet se kanë harruar çantën e shpinës në një furrë buke, “Leone Di Taggia”, ku brenda saj kishte një celular, një portofol dhe një zarf me 15 mijë euro të cilat do të përdoreshin për rinovimin e një shtëpie.
Ka qenë shitësja e furrës ajo e cila ka gjetur numrin e telefonit të njërit prej turistëve dhe u ka telefonur atyre duke u kthyer gjithçka që ata kishin në çantë, ku pas këtij gjesti ata kanë tentuar edhe t’i linin si shpërblim diçka, por ajo nuk ka pranuar.
“Çifti kohët e fundit kishte qenë në dyqan, kishte blerë bukë dhe ëmbëlsira. Kuptova se e kishin lënë çantën e shpinës, e hapa për të gjetur se kujt i përkiste. Të dy mbërritën menjëherë, më falenderuan, duke thënë se do të kthehen shpesh në furrë,” tha shitësja, Laura Braço.
“Nuk e dija sa lekë kishte në zarf, nuk e shikoja, ata e hapën kur u kthyen, por edhe po ta shikoja atë shifër prapë sjellja ime nuk do të ndryshonte,” tha shitësja.
Të kontaktuar nga mediat italiane për t’u prononcuar në lidhje me rastin, çifti holandez u shpreh në këtë mënyrë:
“Ditën e djeshme bëmë një turne në Taggia dhe shkuam në një furrë buke në sheshin kryesor ku një shitëse e sjellshme na tregoi produktet e saj, duke na sugjeruar vendet se çfare duhet të vizitonim duke na treguar për origjinën e festave të San Benedetto dhe Maddalena. Pastaj u larguam. Pas gjysmë ore erdhi një telefonatë që na njoftoi se e kishim lënë çantën e shpinës në dyqan. Duam të falenderojmë publikisht këtë zonjë të ndershme dhe të sjellshme, ne do të kthehemi patjetër në atë furrë buke,” thanë çifti holandez.