Nisur nga raporti i fundit i KLSH për gjendjen në spitalin Onkologjik në QSUT, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka cilësuar si krim koncesionet korruptive në shëndetësi, që sipas tij, nuk kanë kursyer as jetën e njerëzve.
“Koncesionet korruptive në shëndetësi privojnë pacientët nga shërbimi shëndetësor në onkologji. Shpërdorimi kolosal i fondeve në shëndetësi me koncesionet korruptive ka krijuar mungesa dhe boshllëqe shumë kritike në shërbime dhe përkujdesje mjekësore ndaj qindra pacientëve të tjerë në shërbimin e onkologjisë.
Është fakt shumë tronditës mostrajtimi i 600 grave paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, si dhe mostrajtimi i 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës. Kjo situatë kaq e rëndë e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit do të thotë që jeta dhe shëndeti i pacientëve të mbetet në mëshirë të fatit dhe pa trajtim mjekësor.
Ky është një krim i vërtetë ndaj jetës dhe shëndetit, dëshmitarë të të cilit janë pacientët e shumtë, por edhe shumë familjarë të tyre. Babëzia korruptive me koncesionet nuk kurseu pra as jetën e njerëzve. Drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve sepse korrupsioni i tyre ka krijuar dëm pa kthim siç është humbja e jetës dhe dëmtimi i shëndetit” shkruan ai.
KLSH: 600 gra të rrezikuara, 200 paciente me tumor nuk janë trajtuar në QSUT