Ish-kryeministri Xhuliano Amato është rikthyer për të folur për masakrën e Ustikës ku një avion italian DC9 u rrëzua më 27 qershor 1980 dhe si pasojë humbën jetën 81 persona.
Në një intervistë për mediat italiane ai ka deklaruar se avioni është rrëzuar nga një raketë franceze, të cilët donin që të vrisnin Gadafin duke fluturuar.
“Pyes veten pse një president i ri si Macron, nuk dëshiron të heqë turpin që rëndon mbi Francën. Dhe ai mund ta heqë atë vetëm në dy mënyra: ose duke demonstruar se kjo tezë është e pabazuar ose, pasi të jetë verifikuar vlefshmëria e saj, duke i kërkuar faljet më të thella Italisë dhe familjeve të viktimave në emër të qeverisë së saj. Heshtja e zgjatur nuk më duket zgjidhje,” ka thënë Amato.
Në lidhje me deklaratat e tij të fundit ka reaguar edhe kryeministrja Meloni, e cila ka theksuar se fjalët e Amato-s janë shumë të rënda dhe kërkon që ai të vërë në dispozicion çdo informacion që ka.
“Ato të Giuliano Amato mbi Ustica-n janë fjalë të rëndësishme që meritojnë vëmendje. Megjithatë, Amato saktëson se këto fjalë janë rezultat i bindjeve personale… i kërkoj Presidentit Amato të bëjë me dije nëse, përveç bindjeve të tij, zotëron ose jo elemente që mundësojnë rishikimin e përfundimeve të gjyqësorit dhe të Parlamentit, dhe mundësisht vënien në dispozicion të tyre, në mënyrë që qeveria të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm,” ka thënë Meloni.