“Statusi aktual i investitorëve strategjikë duhet të ndryshojë, kuadri ekzistues e ka kryer misionin e vet. Dhe kapitulli i fshatrave turistikë pa hoteleri, do të shpallet një kapitull i mbyllur”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama ditën e hënë në asamblenë socialiste ku njoftoi lëvizjet në kabinetin qeveritar.
Por përveç faktit që këto dy nisma që janë diskutuar dhe që kanë prodhuar shumë akuza nga opozita për favorizime ka edhe një tjetër aspekt. Çfarë ndodh me projektet në vazhdim që janë planifikuar?
Rasti konkret është një tender që është rishpallur pak javë më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Prokurimi i hapur është 81 milionë lekë, ose rreth 1 miliard me TVSH. “5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit që mbyllet në 21 shtator.
Në foks sipas asaj që shkruan vetë Fondi është studimi, analiza dhe masterplani për bashkitë për regjistrimin fillestar/ përmirësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme në territorin e fshatrave me potencial turistik.
Brenda në relacion theksohet qartë se zbatimi i këtij projekti do të mundësojë kryerjen e procesit të regjistrimit fillestar në zonat kadastrale të territorit të “fshatrave me potencial turistik, përfshirë edhe territorin e 100 fshatrave” që ka qenë nismë e qeverisë dhe të hënën u shpall e mbyllur.
“Ky investim shtrihet në territorin e fshatrave me potencial turistike, përfshirë ato pjesë e programit të 100 fshatrave, në zonat me potencial zhvillimi dhe ku vlerësohet që ky investim është i nevojshëm për realizimin e projekteve të ndryshme të aplikuara në këto zona.
Zonat kadastrale të përcaktuara përfshijnë 4 zona në të cilën do të kryhet procesi i regjistrimit fillestar sistematik dhe 28 zona në të cilën do të realizohet procesi i Përmirësim – Përditësimit të Regjistrimit” thuhet në dokumentet e tenderit që ka shpallur Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Tani që projekti i investimeve për fshatrat turistikë u mbyll, çfarë do të ndodhë me tenderin gati një miliard Lekë që kjo procedurë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kishte në fokus?