UNESCO ka bërë thirrje për të vendosur rregulla strikte ndaj përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGpt në shkolla si dhe ka shtuar që të vendosen kufij të moshës për përdorimin e tyre.
Në udhëzimet e reja për qeveritë, organi arsimor i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se autoritetet publike nuk janë të gatshme të trajtojnë çështjet etike të futjes së programeve të IA-së në klasa.
Dhe se mbështetja në programe të tilla, në vend të mësuesve njerëzorë mund të ndikojë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, duke i bërë ata të pambrojtur ndaj manipulimit.
Programet gjeneruese të inteligjencës artificiale shpërthyen, në fund të vitit të kaluar me lançimin e ChatGpt, që demonstroi aftësinë për të gjeneruar ese, poema dhe biseda edhe me të dhëna dhe sugjerime të shkurtra.
Udhëzimi i UNESCO-s thotë se mjetet e IA-së kanë potencialin për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta ose si asistent kërkimor.
Por, mjetet do të ishin të sigurta dhe efektive vetëm nëse mësuesit, studentët dhe studiuesit do të ndihmonin në hartimin e tyre, dhe qeveritë të rregullonin përdorimin e tyre.
Udhëzuesi rekomandon gjithashtu një moshë minimale për nxënësit e shkollave, duke theksuar se ChatGpt nuk mund të përdoret për fëmijët nën 13 vjeç.