Humbja ndaj Skocisë është hedhur mbrapa krahëve, me Spanjën që është rikthyer te fitorja në kualifikueset e Euro 2024. Të besuarit e trajnerit de la Fuente triumfuan pastër, me shifrat 1-7 ndaj Gjeorgjisë.
Në Tbilisi, spanjollët vuajtën vetëm në minutat e para për gjetjen e golit, teksa sfida u zhbllokua nga Morata në minutën e 22-të. Vendasit ishin të pafat pak më pas, pasi Kvirkvelia realizoi autogol.
Iberikët shënuan edhe dy herë të tjera brenda pjesës së parë me Olmo dhe Morata, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin e 4 golave.
Goli i nderit për Gjeorgjinë mban firmën e Giorgi Chakvetadze (49’). Spanja u tregua edhe më e pamëshirshme në pjesën e dytë, pasi vazhdoi festivali i golave, me Moratën, Willians dhe Yamal.