A mund të ndalen kompanitë e mëdha teknologjike? Pas një lëkundjeje në vitin 2022, kompanitë e mëdha teknologjike të Amerikës janë rritur sërish me shpejtësi.
Së fundmi, Alphabet, Meta dhe Microsoft, raportuan fitime të forta në tremujorin e dytë, pas një ecurie të shkëlqyer në tremujorin e parë.
Midis janarit dhe qershorit, të tria kompanitë së bashku arritën fitime operative me vlerë 106 miliardë dollarë, ose 9 miliardë dollarë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mos prisni që ligjet rregullatore të ndalin hapin. Muajin e kaluar, një gjykatë hodhi poshtë një përpjekje nga agjencitë amerikane kundër monopolit, për të parandaluar që Microsoft të blinte Activision Blizzard, një zhvillues lojërash.
Tregjet kanë hequr dorë nga përpjekjet e pakëndshme për të frenuar gjigantët e teknologjisë, siç janë rregullat e reja të BE-së për tregjet dixhitale.
Për më tepër, investitorët presin që kompanitë e mëdha teknologjike, me njohuritë e thella dhe xhepat plot, të shfrytëzojnë përfitimet që mund të sjellë Inteligjenca Artificiale. Çmimet e aksioneve të kompanive Alphabet, Amazon dhe Meta po arrijnë majat e kapura në vitin 2021.
Çmimet e aksioneve të kompanive Microsoft dhe Apple (të cilat së bashku me Amazon i deklarojnë fitimet më të fundit tremujore më 3 gusht), janë më të larta se kurrë.
Megjithatë, gjigantët e teknologjisë duhet të kenë parasysh forcën më të fuqishme nga të gjitha: aritmetikën. Kufiri kryesor i rritjes së kompanive të mëdha teknologjike, është vetë madhësia e tyre. Në vitet në vijim, pikërisht kjo do të jetë sfida e vërtetë e kompanive të mëdha teknologjike.
Alphabet, Amazon, Apple, Meta dhe Microsoft sundojnë në biznesin amerikan. Këto pesë kompani mbizotërojnë në treguesin e bursës S&P 500, duke përbërë së bashku 9% të shitjeve, 16% të fitimeve neto dhe 22% të kapitalizimit të tregut.
Vitin e kaluar, shpenzimet e tyre kapitale prej 360 miliardë dollarësh, përbënin mbi një të dhjetën e të gjitha investimeve të bizneseve amerikane.
Por ajo që i bën ato unike në historinë e kapitalizmit, është rritja e qëndrueshme. Kur ExxonMobil dhe General Motors ishin titanët e korporatave amerikane në vitet 1990 dhe 2000, të ardhurat e tyre po rriteshin me një normë mesatare vjetore prej 5-6% dhe fitimet neto me 5-10%, ose më shumë.
Ndërsa gjigantët e sotëm të teknologjisë janë rritur përkatësisht me 16% dhe 13%, për një dekadë ose më shumë.
Për të ruajtur rritjen mesatare afatgjatë të shitjeve prej 28%, kompania Alphabet duhet të shtojë fitimet me 86 miliardë dollarë në vitin 2024, më shumë se fitimet që arritën 461 firmat më të vogla në S&P 500, të cilat u krijuan vitin e kaluar.
Për më tepër, për të ruajtur rritjen, kompanisë Alphabet do t’i nevojiten 111 miliardë dollarë shtesë në vitin 2025, e kështu me radhë.
Për të ruajtur rritjen e fitimeve me ritmet e sotme historike, vitin e ardhshëm, kompanitë Apple dhe Alphabet duhet të fitojnë 25 miliardë dollarë shtesë, ose afërsisht të ardhura neto sa vlera e kompanisë Meta; nga ana tjetër, Meta duhet të arrijë fitime sa vlera e kompanisë Verizon. Dhe ato duhet të vazhdojnë të thyejnë rekordet e veta.
Ruajtja e fitimeve
Ruajtja e këtyre vlerave mesatare në një plan afatgjatë është një punë e madhe dhe e vështirë. Në të vërtetë, rritja tashmë ka filluar të ngadalësohet kohët e fundit. Por drejtuesit dhe investitorët e kompanive nuk ka gjasa që të pranojnë një ngadalësim.
Atëherë, ata duhet të përqendrohen në tri mënyrat kryesore që kanë kompanitë për t’u rritur. A mund të funksionojnë këto edhe për kompanitë e mëdha teknologjike?
Mënyra e parë është ndjekja e fitimeve dhe shkurtimet në fusha të ndryshme. Ulja e kostove, zvogëlimi i projekteve dhe heqja e njësive jothelbësore, janë veprimet kryesore strategjike për një biznes konvencional që kërkon të zbusë marzhet. Kompanitë e mëdha mund të mos jenë aq konvenciale sa duken, por edhe ato kanë nevojë për shkurtime.
Apple është kompania e vetme e madhe që nuk ka njoftuar shkarkime nga puna këtë vit; kompanitë e tjera kanë pushuar nga puna më shumë se 70,000 punëtorë.
Megjithatë, prodhuesi i celularëve iPhone e ka shtyrë hedhjen në treg të disa pajisjeve të reja. Kompania Alphabet ka hequr dorë nga disa fotografi të Hënës të financuara nga kërkimi në Google. Amazon ka braktisur hapjen e disa dyqaneve.
Një rrugë e dytë drejt rritjes është që kompanitë të investojnë shumë në bizneset e tyre kryesore. Bing, motori i kërkimit i Inteligjencës Artificiale i krijuar nga Microsoft, tërhoqi shumë vëmendje në fillim të këtij viti si platforma që mund të rrëzonte Google.
Në fakt, Bing mbetet gjithashtu një motor kërkimi (një shaka e vjetër thotë se fjala më e kërkuar në Bing, është “Google”). Por të njëjtat fuqi të ngjashme me ChatGPT po përfshihen edhe në ofertën e Microsoft. Muajin e kaluar, kompania tha se për 30 dollarë shtesë në muaj, do të vinte në dispozicion mjetet e Inteligjencës Artificiale për përdoruesit e Office 365.
Nga ana tjetër, Google dhe Meta po investojnë në shërbimet e Inteligjencës Artificiale për klientët e tyre të reklamave.
Strategjia më ambicioze e rritjes është kërkimi i tregjeve të reja. Këto pesë kompani të mëdha po shkelin në terrenin e njëra-tjetrës. Pjesa e tyre e shitjeve në zonat e mbivendosura është dyfishuar që nga viti 2015, duke arritur në 40%.
Kompania Alphabet po futet në terrenin e Amazon dhe Microsoft po përfshihet në sistemin cloud. Kompanitë Amazon dhe Microsoft po provojnë fatin në fushën e reklamave. Në qershor, kompania Apple hodhi në treg kufje të realitetit virtual për të garuar me Meta-n, e cila deri tani ka pasur monopol në këtë treg.
Të pesë kompanitë ua kanë vënë syrin edhe tregjeve të patrazuara, si financat, kujdesi shëndetësor dhe prokurimet publike, sektorë mjaftueshëm të mëdhenj për të sjellë një ndryshim të dukshëm në të ardhurat e tyre të jashtëzakonshme.
Ose, siç ka bërë Microsoft, ato mund të përpiqen të blejnë rritjen; për shembull, blerja prej 69 miliardë dollarësh e kompanisë Activision do të sillte shitje vjetore rreth 8 miliardë dollarë.
Asnjë nga këto qasje nuk është e sigurt se do të ketë sukses. Për shembull, metoda e shkurtimit rrit fitimet për vetëm një ose dy vjet dhe është në kurriz të fitimeve në të ardhmen. Tregjet kryesore të kompanive të mëdha teknologjike, qofshin për iPhone, reklamat dixhitale apo softuerët e biznesit, nuk po rriten më me 20% ose më shumë.
Gara e kompanive kundër njëra-tjetrës sjell të ardhura të reja, por shkurton marzhet. Tregjet e patrazuara ku këto kompani nuk kanë depërtuar deri tani, ka një arsye se pse janë të tilla: ato janë shumë të rregulluara dhe të kontrolluara nga operatorët aktualë, duke filluar nga bankat e Wall Street, deri te kontraktorët e Pentagonit.
Dhe as kompanitë e mëdha teknologjike të pasura me para, nuk mund të shpenzojnë 69 miliardë dollarë për të fituar disa miliardë më shumë për një kohë të gjatë.
Përballja me realitetin
Ndoshta kompjuterët një ditë do të mbizotërojnë botën. Në këtë rast, kompanitë e mëdha teknologjike mund të përdorin fuqinë e tyre në fushën e Inteligjencës Artificiale, për të rrëmbyer biznesin nga duart e kompanive të tjera, në të gjitha llojet e industrive.
Deri atëherë, e ardhmja e këtyre kompanive të mëdha, do të varet nga strategjitë që do të zgjedhin. Nëse do të zgjedhin uljen e kostove, kjo do të sinjalizojë pjekuri, por edhe një mungesë besimi. Nëse do të jenë të etura për t’u zgjeruar, kjo do të nënkuptojë vetëbesim, por ndoshta edhe mendjemadhësi.
Aksionerët dhe drejtuesit duhet të përgatiten për një periudhë pasigurie. Të gjithë dëshirojnë të shijojnë pasurinë që do të sjellin produktet e vëna në shënjestër nga kompanitë e mëdha teknologjike.